Të nderuar qytetarë në bashkinë Prrenjas ju ftojmë të aplikoni për të përfituar subvencionim të qirasë për vitin 2024. Aplikoni përmes portalit e-albania: https://youtu.be/kC-I3Xn0Ii0

Bashkangjitur gjeni dokumentat që ju duhen për aplikim :

Bashkia Prrenjas në kuadër të programeve sociale të strehimit, konkretisht programit të subvencionimit të qirasë, në përputhje me proçedurat administrativo-ligjore të parashikuara në ligjin Nr.22/2018 “Për strehimin social”, VKM nr.384, datë 12.06.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo program social të strehimit, dhe afateve e proçedurave të miratimit nga organet e qeverisjes vendore”, VKM nr. 459, datë 03.07.2019 ”Për rregullat për administrimin e kërkesave të njësive të vetëqeverisjes vendore për fonde nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirasë ose uzufruktit, mënyrën e financimit të subvencionit, monitorimin dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin”, VKM nr. 362, datë 29.05.2019 “Për kriteret e dhënies së subvencionit të qirasë për kategoritë që gëzojnë përparësi në subvencionimin e qirasë në tregun e lirë, nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe mënyrën e llogaritjes së tij” si dhe VKM nr.301, datë 15.04.2021, “Për normat e strehimit”.

 

Njofton të gjithë të interesuarit të depozitojnë kërkesën e tyre dhe dokumentacionin ligjor si më poshtë vijon:

 

  • Fotokopje e kartave te identitetit
  • Çertifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
  • Certifikatë familjare;
  • Vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social,
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
  • Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
  • Vërtetimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës qe aplikanti apo cdo pjesëtar tjetër i familjes në moshë madhore nuk ka aplikuar për legalizim banese.
  • Akt Verifikim nga njësia vendore për: – banesat në rrezik shembjeje; – rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore; – banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
  • Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
  • Akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
  • Vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
  • Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
  • Vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
  • Dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
  • Urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
  • Vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
  • Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
  • Vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
  • Vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
  • Vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
  • Dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e punesuar dhe te vetëpunësuar të familjes;
  • Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
  • Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
  • Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension
  • Kontrata e qerasë me afat 1-vjeçar (duhet të jetë e noterizuar).

*Dokumentat duhet të jenë të lëshuar brenda 3 muajve të fundit nga momenti që qytetari bën aplikim/rifreskimin e dokumentacionit.

Në zbatim të ligjit Nr.22/2018 “Për strehimin social”, i ndryshuar me ligjin Nr.48/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin N.22/2018 “Për strehimin social” , aplikimet për përfshirjen për herë të parë në programet sociale të strehimit do të bëhen online përmes portalit e-albania.

 

 

AlbaniaUSA